Tuesday, May 21, 2013

Began work conference "Science Week 2013"

.Në Prishtinë filloi sot "Java e Shkencës 2013", organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), që ka për qëllim prezantimin dhe promovimin e të arriturave shkencore në institutet shkencore të Kosovës, në Universitetin e Prishtinës dhe në institucione të tjera të arsimit të lartë që veprojnë në Kosovë. Me rastin e hapjes së punimeve të konferencës, ministri i MASHT-it, Ramë Buja, tha se janë shënuar arritje në fushën e shkencës, duke theksuar se këtë vit është bërë edhe një hap për konsolidimin e infrastrukturës ligjore të fushës së shkencës. Këtë konferencë, ministri Buja e vlerësoi si ndër më të mëdhatë në Ballkan. “Aktiviteti i kërkimit dhe hulumtimit shkencor në Republikën e Kosovës tashmë ka mbështetje ligjore të mirëfilltë, përmes ligjit të miratuar me anë të të cilit është hapur një rrugë për themelimin edhe të një institucioni të veçantë që merret ekskluzivisht me shkencën, që është Agjencia për Promovim të Kërkimit Shkencor”, tha ministri Buja duke shtuar se Qeveria e Kosovës ka hartuar dhe miratuar Planin Kombëtar të Shkencës, i cili është dokumenti bazë strategjik për mbështetje të veprimtarisë kërkimore shkencore. Buja theksoi faktin se në këtë konferencë po marrin pjesë përfaqësues të vendeve të rajonit dhe tha se kjo ngjarje është kontribut serioz në promovimin dhe prezantimin e shkencës jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin. “Vetëm komunikimi dhe këmbimi i përvojave shkencore flet shumë për qasjen e MAShT-it ndaj hulumtimeve shkencore”, tha Buja.
Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi, tha se “Java e Shkencës” është një mundësi e mirë për të paraqitur të arriturat shkencore, për të ngritur dhe debatuar temat, si dhe për të iniciuar projekte të së ardhmes. Ai theksoi se Universiteti ka hartuar një strategji, përmes së cilës synohet që të përfitohen fonde për kërkime shkencore. Në emër të shkencëtarëve kosovarë nga diaspora, punimet e konferencës i përshëndeti edhe Jahja Koka, i cili aktualisht jeton dhe punon në Kuvajt. Ndryshe, Konferenca “Java e Shkencës 2013”, ka rreth 500 pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Sllovenia, Turqia, etj., të cilët do të prezantojnë kumtesat e tyre, për të vazhduar me diskutime të ndryshme. Konferenca do të hapë perspektiva të reja zhvillimi për shkenctarët dhe institucionet kosovare, të cilat kanë nevojë për hapjen e mundësive për hulumtimin dhe zhvillimin e shkencës. Konferenca “Java e Shkencës” do të prezantojë të arriturat e fundit në rrugët e zhvillimit dhe problemet, të cilat ballafaqohet shkenca në Kosovë./kosovasot/

No comments:

Post a Comment